Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se gjeneralët e UÇK-së, luftëtarët e saj nuk kanë kryer krime, përkundrazi kanë zhvilluar luftë të drejtë dhe heroike. Thaçi ka thënë se është krenar për luftën e UÇK-së që e kanë zhvilluar. Presidenti i vendit, këto komente i bëri gjatë një interviste për mediat kroate.
“Edhe njëherë ka fituar drejtësia ndërkombëtare mbi shpifjet e ulëta të Serbisë të kohës së Millosheviqit. Gjeneralët e UÇK-së, luftëtarët e saj nuk kanë kryer krime, përkundrazi kanë zhvilluar luftë të drejtë dhe heroike. Jemi krenar për luftën që e kemi zhvilluar. Serbia është e gatshme të gëlltisë atë që ka ndodhë në Kroaci dhe në Bosnjë, por në asnjë rrethanë nuk i gëlltit humbjet në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Tutje Thaçi ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale në asnjë vend në rajon nuk është bërë. Ai ka theksuar se UÇK ka zhvilluar luftë çlirimtare, të drejtë, duke shtuar se këtë drejtësi asnjë gjykatë nuk mund ta kontestoj.
“Mendoj se vetëm kryeprokurori emrat i din, të akuzuarve të mundshëm. Prandaj, Kosova ka ndërtuar këtë gjykatë megjithëse është hera e parë në Ballkanin Perëndimor që ndërtohet diçka e tillë, sepse në asnjë vend në rajon nuk është bërë diçka e tillë. Është padrejtësi historike, por për hire të ruajtjes të bashkëpunimit me NATO-në dhe SHBA-të e kemi bërë. UCK ka zhvilluar luftë çlirimtare, të drejtë, dhe këtë drejtësi asnjë gjykatë nuk mund ta kontestoj”, ka thënë Thaçi.(Zëri)