Thaçi: Gjetja e lokacionit problem për asgjësimin e kafshëve me “Brucelozë”, largohen nga tregu “Munchmallow”

Prishtinë | 10 Tet 2023 | 13:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nuk ka arritur t’i asgjësojë dhjetëra krerë lopë të prekuar me “Brucelozë” në Komunën e Skenderajt, për shkak se autoritetet komunale nuk kanë arritur të sigurojnë një lokacion për vendgroposjen e tyre. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi.

Ai ka deklaruar se lokacionet që janë caktuar nga komuna janë kundërshtuar nga banorët dhe se janë ende në pritje të caktimit të lokacionit të ri.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Thaçi ka dekalruar se ferma është vendosur në karantinë dhe se është marrë vendim që mos të përdorën produktet e nxjerra nga këto kafshë.

“Nga rasti i parë kur ka lindur dyshimi për prezencën e ‘Brucelozës’ në këtë fermë, ne i kemi kryer të gjitha hulumtimet diagnostike, kemi dalë në terren për marrje të mostrave të gjakut tek kafshët e dyshuara me ‘Brucelozë’ dhe me datën që kanë rezultuar pozitiv, ne menjëherë kemi dërguar ekip inspektues në fermë për t’i ndërmarrë veprimet e ndalesës, ku fermerit i është ndaluar që të bëjë qarkullim të kafshëve. Ferma është vendosur në masën e karantinës dhe po ashtu fermerit i është dhënë  urdhëresa që mos të përdorë produkte që nxjerrën nga kafshët. Ne menjëherë e kemi njoftuar organet komunale që duhet të caktohet një lokacion për vend-groposjen e tyre dhe në lokacion që janë caktuar, ne për tri herë radhazi kemi tentuar që të bëjmë groposjen e tyre por ka dështuar procesi, për shkak se banorët e fshatit kanë penguar procesin. Ne ende po vazhdojmë të qëndrojmë në gatishmëri, jemi duke pritur vendimin e komunës për caktim të një lokacioni të ri dhe në momentin që atë e kemi të konfirmuar, ne përsëri do të tentojmë që këto të groposen”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se me gjetjen e lokacionit për groposjen e kafshëve kanë edhe komunat tjera dhe se kjo çështje po u shkakton telashe AUV-it.

“Problemin me lokacionin për asgjësim të kafshëve nuk është vetëm i Komunës së Skenderajt, janë edhe disa komuna tjera që po e neglizhojnë apo nuk po kanë fuqi vendimmarrëse për të gjetur një lokacion i cili do të përdoret për vendvarrim të kafshëve dhe kjo pastaj po na paraqet neve problem për të penguar përhapjen e marrjen e masave të menjëhershme ashtu qysh kërkohet me udhëzim administrativ”, u shpreh Balaj.

Krahas asgjësimit të kafshëve të prekura me sëmundje të ndryshme, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është marrë me ndalimin e një produkti nga Serbia. Bëhet fjalë për ëmbëlsirat “Munchmallow”, raporton EO.

Thaçi ka thënë se produkti në fjalë nuk është lejuar për import nga qershori i këtij viti, bazuar në urdhëresën  për ndalim të produkteve me origjinë serbe.

“Nga data 14 qershor të këtij viti është dhënë urdhri për ndalesë të importit të produkteve finale nga Serbia, ku bën pjesë edhe ky produkt dhe nga kjo vetëkuptohet që ky produkt mbi bazën e dyshimit që është ngritur në Kroaci, nuk ekziston në tregun e brendshëm. Nga trupat inspektuese në terren, shumica e pikave shitëse fare nuk e posedojnë si produkt dhe ato që eventualisht kanë ende në stoqet e tyre janë të lotëve të prodhimit të datave të mëhershme, pra nuk janë të përfshira në datat që janë raportuar si të dyshimta në Kroaci. Nga kjo datë, ka rezultuar se nuk ka pasur fare asnjë import të regjistruar nga ky produkt në Kosovë dhe po ashtu në tregun e brendshëm e dimë që janë lote shumë të hershme të prodhimit dhe shumica e pikave shitëse nuk e posedojnë fare këtë produkt”, ka thënë Thaçi.

Të ngjashme