Samiti i Berlinit e ka “korrigjuar” paksa presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Të mërkurën ai ka folur për këtë ngjarje të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ka thënë se qëllimshëm është shtrembëruar opsioni i zgjidhjes mes Kosovës e Serbisë, të cilin ai e ka proklamuar gjatë në publik.
Për eksponentë politikë në Gjermani, por edhe për zyrtarë kosovarë e njohës të çështjeve politike, Samiti i Berlinit e ka varrosur opsionin e “korrigjimit të kufirit”, i cili fillimisht ishte kërkuar nga zyrtarë të Serbisë, kurse nga viti i shkuar pro tij ishte shprehur edhe presidenti Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.
Përgjegjësinë për frenimin e procesit të dialogut me fqinjin verior, Thaçi ua ka faturuar edhe disa “injorantëve dhe të padijshmëve” që, sipas tij, kanë përdorur “demarkacionin Kosovë-Serbi” për ta “dezinformuar publikun”.
“Skepticizmi i individëve të caktuar, i fokusuar në vetëm një pikë, atë të demarkimit të kufirit Kosovë-Serbi, mendoj se ka çuar drejt një situate të humbjes së kohës dhe lëndimit të procesit”, ka thënë presidenti Thaçi. “Synimi është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ku edhe Kosova e edhe Serbia mbesin multietnike, siç kanë qenë, dhe nuk do të kenë vija kufitare në baza etnike”.
Gjatë verës së vjetme i është dhënë start fazës përmbyllëse të dialogut me Serbinë. Pa u mandatuar nga Kuvendi dhe në kundërshtim me thirrjet e opozitës e të një pjese të shoqërisë civile, Thaçi ka përfaqësuar vendin në këtë proces. Pasi pati zhvilluar dy raunde bisedimesh me homologun e tij serb, kishte lansuar idenë për “korrigjim” kufijsh me Serbinë. Kjo shihej si eufemizëm për shkëmbim territoresh.