Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur heronj punëtorët shëndetësorë gjatë vizitës që u ka bërë atyre të martën.
Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe të klinikave të Qendrës Klinike Universitare i kanë raportuar atij për punën dhe organizmin e stafit për të luftuar pandeminë COVID-19.
Thaçi u ka premtuar se institucionet e vendit do të ofrojnë gjithë mbështetjen për punëtorët shëndetësorë.
“Keni qenë shembull për rajonin, keni marrë vendime të shpejta e precize. Të jeni të sigurt se do ta keni përkrahjen e të gjitha institucioneve në mënyrë që ta kalojmë sa më lehtë dhe me më pak pasoja. Jeni heronj të kësaj kohe, jeni duke u përballur me betejë jo të lehtë, por kam besim në ju”, u ka thënë Thaçi drejtuesve shëndetësorë.