Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka bashkëbiseduar për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“I vetëdijshëm se nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më emergjente për Kosovën dhe qytetarët tanë sesa përfundimi i izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë, fokusi im ishte tek përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë pas takimit presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, presidenti Juncker, i cili është mbështetës i perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka treguar vullnet për ta përmbyllur këtë proces të stërzgjatur. Por, presidenti i Komisionit Evropian, e ka bërë të qartë se do ta ketë të pamundur ta përmbyllë këtë proces nëse Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Presidenti Thaçi ka thënë se për BE-në është e pakuptueshme sesi ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.
“Kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë iu bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake. Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, presidenti Thaçi ka takuar krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, nga të cilët ka marrë mbështetje për perspektiven evropiane të Kosovës.