Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova nga dita e pavarësisë ka marrë vendime të cilat kanë sjell sistem të konsoliduar gjyqësor.
Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti janë ndërmarrë hapa për shtrirjen e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës, duke përmendur 100 gjyqtarë ka emëruar prej tyre 40 nga pakicat, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e të Këshillimit Gjyqësor të Kosovës, Thaçi shtoi se ka ofruar mbështetjen për të luftuar korrupsionin krimin e organizuar, krimeve të luftës e terrorizmin.
“Si president bazuar në veprimet e KGjK kam emëruar 100 gjyqtar prej tyre 40 nga pakicat. Shteti i Kosovës po ndërtohet në veprimet kushtetuese në mënyrë që të gjithë të kenë të drejtë të jenë pjesë e shoqërisë kosovare. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat i cili është i paanshëm. Paanshmëria profesionalizmi e kredibiliteti rrit besimin në KGjK”.
“Për të arritur synimet e një sistemi mirë gjyqësor është puna juaj që ju bëni. Do ofroj gjithë ndihmën time për të gjitha fenomenet negative që mund të paraqiten në shoqërinë tonë. Sfidat na kanë bërë që të jemi më të bindur që Kosova meriton një sistem të mirëfilltë të drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi i ka përgëzuar gjyqtarët për gjithçka që kanë bërë gjatë këtyre vjetëve në shërbim të shtetit tonë dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të punojnë edhe më tej me profesionalizëm dhe përkushtim.
Tahiri: Do të sigurojmë një gjyqësor të pavarur
Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, foli për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai tha se qysh në fillim të qeverisjes është zotuar në luftim të këtyre dukurive, duke shtuar se në këtë proces është e rëndësishme të sigurohet një gjyqësor i pavarur.
“Ky organizim paraqet një rast të mirë për te kuptuar sfidat e sistemit gjyqësor. Drejtësia është ndërgjegje kolektive. Detyra ime nuk është të ndaj drejtësi por të siguroj qasje të barabartë për të gjithë qytetarët”.
“Si ministër kam iniciuar një varg masash të cilat sigurojnë një gjyqësor të pavarur. E para është që kam iniciuar rritjen e buxhetit të gjykatave. Jemi duke fuqizuara masat alternative të masave të proceseve. Vitin që po e lëmë pas shënoj integrimin e plotë të gjykatave na tëre territorin e Kosovës. Jemi në fazën e amamentimin e pakos së ligjeve për gjykatat”.