Thaçi kërkon përgjegjësi nga institucionet për vdekjen e 26-vjeçarit

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vdekjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve, e cila po përdoret si karantinë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo ngjarje nuk duhet të mbetet enigmatike, duke shtuar se kërkon përgjegjësi nga institucionet përkatëse për vdekjen e tij.

Thaçi tutje iu ka bërë thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt t’i zbardhin rrethanat e kësaj vdekjeje.

“Jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Humbja e jetës së këtij 26 vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike. I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie”, ka shkruar ai.

Ai tutje thotë se kërkon përgjegjësi nga institucionet përkatëse që kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm.

Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor. HTH

Të ngjashme