Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë” ish – ambasadorin e SHBA-së në OKB, Zalmay Khalilzad.
Thaçi tha se Khalilzadin e njeh si ambasador të presidentit Bush në kohën kur Kosova po përgatitej për shpalljen e Pavarësisë dhe një përkrahës të aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, raporton Ekonomia Online.
“Ambasadori Khalilzad e kishte bërë Kosovën çështje kryesore të kryesimit të radhës së Këshillit të Sigurimit nga SHBA-ja. Edhe ai, sikurse presidenti Bush, tha se ‘enough is enough’ dhe se çështja e Kosovës nuk mund të zvarritej pafundësisht në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, mirënjohja që i ndahet sot është mirënjohje e popullit të Kosovës për angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, falënderoi presidentin Thaçi për këtë çmim, ndërsa tha se është i impresionuar me arritjet e Kosovës.
“Ju falënderoj për këtë nder të madh unë isha në Kosovë dhjet vite më parë si pjesë e UNMIKU-ut dhe jam shumë i emocionuar të jem këtu prapë për të parë atë çka ka arritur populli i Kosovës. Kosova ka formuar institucione dhe është e njohur na shumë shtete. Ekonomia e Kosovës po përformon mirë, por edhe dialogu me Serbinë po shkon aq mirë”, ka thënë ai pas dekorimit.