Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka thënë nga Shtetet e Bashkuara se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila do të çonte në njohje reciproke mes të dyja shteteve, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë.
Ndërsa ka folur për Zërin e Amerikës, Thaçi ka përmendur edhe takimin e tij që pati në Washington me dy zyrtarët e lartë të administratës së Donald Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, njofton Klan Kosova.
Sekretari i shtetit Pompeo dhe ambasadori Bolton, në takimet me presidentin Thaçi theksuan se koha është tani që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për arritjen e një marrëveshjeje historike.
Çështja e përcaktimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, e shprehur muaj më parë nga presidenti Thaçi si “korrigjim” kufijsh dhe e interpretuar gjerësisht si shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është pritur me kritika të ashpra në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës ka dalë hapur kundër presidentit për këtë çështje. Gjatë qëndrimit në Washington, presidenti Thaçi nuk e përmendi më “korrigjimin e kufijve” ndërsa në intervistën me shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, theksoi se pa përcaktimin e kufirit nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë, njofton Klan Kosova.