Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin ka biseduar për përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Presidenti Thaçi falënderoi Ambasadorin Braathu për mbështetjen që Misioni i OSBE-së i ka dhënë procesit elektoral në Kosovë.
Ambasadori Braathu u shpreh se Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar që të mbështesë institucionet e Kosovës për një proces elektoral të suksesshëm.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova ka përvojë të organizimit të mirë të zgjedhjeve dhe se pret që edhe zgjedhjet e 11 qershorit të dëshmojnë këtë traditë.