Si President i Kosovës, do të vazhdoj të punoj dhe të promovoj dialogun, bashkëpunimin, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësorë dhe integrimin e tërë rajonit tonë në NATO dhe BE, si garanci të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në tërë rajonin tonë, thotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për medial.mk.
Intervista është bërë me rastin e 16-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Të dielën bëhen 16 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Cili është vlerësimi rreth dokumentit nga prizmi i juaj si President i Kosovës?
Thaçi: Marrëveshja e Ohrit ishte rezultat i angazhimit për barazi dhe për drejtësi. Ishte rezultat i dialogut dhe aspiratës së të gjithëve për stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Implementimi i marrëveshjes forcon themelet e shtetit të Maqedonisë dhe kontribuon në forcimin e kohezionit social dhe etnik në Maqedoni. Por, zhvillimet pozitive në Maqedoni kanë ndikim në tërë rajonin. Marrëveshja e Ohrit, fryma që promovon ajo dhe sukseset në implementimin e saj reflektojnë pozitivisht në tërë rajonin tonë dhe më gjerë.
Mendoni që mund të vazhdojë politika e kaluar, e cila në njëfarë forme ishte rigjide ndaj kërkesave shqiptare? Çfarë pritni nga kryeministri i ri Zoran Zaev sa i takon realizimit të MO-së, pasi së fundmi qeveria miratoi ligjin për gjuhët?
Thaçi: Shtetet e Evropës Juglindore janë shtete shumetnike dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërshtetërore janë e ardhmja e rajonit. Zhvillimet politike në rajon tregojnë se liderët politikë, por edhe tërë shoqëritë, janë të përcaktuara për dialog, për bashkëpunim dhe për marrëdhënie të mira ndërfqinjësorë. Janë ndërtuar mekanizma rajonal që mundësojnë bashkëpunimin rajonal, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë politik, si SEECP dhe CEFTA, por edhe A5 dhe Procesi i Berlinit.
Qeveritë e Evropës Juglindore janë të angazhuara për thellim të bashkëpunimit dhe integrim në familjen e Bashkimit Evropian, për të gëzuar dhe promovuar të njëjtat vlera që sot paraqet BE-ja. Ky është destinacioni i tërë rajonit dhe kjo është korniza e vlerave dhe parimeve që duhet të promovojë çdo lider politik sot në rajon.
Ku mendoni se janë arritjet dhe ngecjet më të mëdha rreth dokumentit të Ohrit dhe cila do ishte porosia e juaj për liderët shqiptarë në Maqedoni?
Thaçi: Gjithmonë më sfidues është implementimi i marrëveshjeve se arritja e tyre. Marrëveshja e Ohrit është implementuar me urti, durim dhe me bashkëpunim e konstruktivitet. Këto cilësi janë nevojitur që të evitohen rreziqet e shkarjes nga synimi, përkundër sfidave e vonesave. Këto janë cilësitë që ka çdo lider, i cili në rend të parë ka interesin e komunitetit dhe të shoqërisë ku jeton.
Cili duhet te jete roli i Prishtinë lidhur me te drejtat e shqiptareve në Maqedoni? Dhe çfarë rëndësie do ti jepni ju si President i Kosovës?
Thaçi: Kosova dhe Maqedonia kanë lidhje të forta politike, institucionale, por edhe kulturore, madje shumë qytetarë tanë edhe lidhje familjare. Duke ndërtuar shoqëri të lira, ku sundon ligji, ku ka zhvillim ekonomik, i ndihmojmë shteteve tona, por edhe tërë rajonit. Si President i Kosovës, do të vazhdojë të punojë dhe të promovojë dialogun, bashkëpunimin, marrëdhëniet e mira ndër fqinjësorë dhe integrimin e tërë rajonit tonë në NATO dhe BE, si garanca të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në tërë rajonin tonë.
Si i cilësoni zhvillimet në rajon?
Thaçi: Në shumë nga shtetet e rajonit të Evropës Juglindore ka pasur zgjedhje të përgjithshme në vitin e fundit. Në të gjitha këto zgjedhje kanë ngadhënjyer forcat politike që promovojnë vlera euro-atlantike. Mund të them se trendi i zhvillimeve politike në rajon është i tillë që promovon dialogun, integrimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Këtë e përkrah, në fakt e kërkon, edhe qytetari i rajonit tonë.
E ku qëndron Kosova?
Thaçi: Edhe në Kosovë kemi përfunduar një proces elektoral të suksesshëm. Kanë qenë zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve. Tash pritet që të themelohet qeveria e re që do të vazhdojë reformat që po i zhvillojmë me sukses, qoftë në ekonomi, qoftë në sundim të ligjit, qoftë në ndërtim të institucioneve demokratike. Vitin e ardhshëm Kosova shënon dekadën e parë si shtet. Pa u bërë pra një dekadë që nga shpallja e pavarësisë kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me Bashkimin Europian dhe jemi pranuar si vend kandidat në “Millenium Challenge Corporation” të Kongresit Amerikan. Kjo tregon më së miri për suksesin e reformave në Kosovë. Nuk ka dyshim që rrugëtimi ynë si shtet i ri ka qenë me sfida dhe sigurisht që do të ballafaqohemi edhe me shumë sfida tjera. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është se jemi në rrugën e duhur. Me urti dhe durim, që kemi dëshmuar se e kemi, do të realizojmë edhe aspiratën tonë të ardhshme, anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe në BE.