Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka mbledhur Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Presidenti Thaçi i ka përgëzuar anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete për angazhimin e vazhdueshëm në përmirësimin e kornizës ligjore, për t’i promovuar dhe mbrojtur edhe më mirë të drejtat e komuniteteve.
“Ju falënderoj që vazhdimisht i keni ngritur shqetësimet e komuniteteve të Kosovës. Si president i vendit e mbështes punën tuaj dhe jam i kënaqur me bashkëpunimin që kemi ndërtuar deri më tani. Prioritet i imi është që të inkurajojë dialogun e brendshëm në Kosovë. Kjo vlen edhe për dialogun në mes të komuniteteve të Kosovës, si mënyra më e mirë për të avancuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjitha komuniteteve”, u shpreh presidenti Thaçi.
Këto ditë derisa shënojmë 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s dhe përkujtojmë viktimat e para dy dekadave, presidenti Thaçi theksoi se të gjithë bëhemi edhe më të vetëdijshëm për tragjeditë që sjellë lufta dhe konflikti.
“Kjo na bënë edhe më të vendosur dhe më këmbëngulës në dialog në mes të të gjitha komuniteteve, të cilat janë pasuri e Kosovës. Forumi si ky i juaji është shtyllë e ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shtyllë e bërjes së Kosovës shtëpi e përbashkët për të gjitha komunitetet”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se e përcjellë me vëmendje gjendjen e komuniteteve në Kosovë.
“Dje pata kënaqësinë të marrë pjesë në hapjen e Qendrës Zhvillimore të komunitetit malazez në Kosovë. Kam pasur kënaqësinë t’ju pres në zyrë apo të vij tek ju në shënimin e ditës kombëtare për secilin komunitet. Mesazhi nga të gjitha këto takime është se Kosova është shtëpi e të gjitha komuniteteve të saj. Dhe se të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës janë të përkushtuara në përkrahjen dhe promovimin e të gjitha komuniteteve”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke e lexuar Raportin e Progresit të publikuar dje, presidenti Thaçi ka thënë se në pjesën për të drejtat e njeriut në Kosovë vërehet se ka përmirësim të dukshëm në ndërtimin e infrastrukturës ligjore.
“Tani fokusi duhet të jetë në përmirësimin e implementimit të kësaj infrastrukture. Ju ftoj që të luani rol aktiv duke u angazhuar në monitorim dhe raportim të implementimit të të gjitha provizioneve për të garantuar të drejtat e përgjithshme në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, në anën tjetër, e njoftuan presidentin Thaçi me të arriturat dhe shqetësimet e komuniteteve të tyre.
“Siguria dhe zhvillimi ekonomik janë shqetësimet kryesore të të gjithë qytetarëve”, konstatuan ata.
Presidenti Thaçi i mirëpriti kontributet e anëtarëve të Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe i ftoi ata për vazhdim të bashkëpunimit.
“Kosova është shtëpia që e ndërtojmë së bashku”, përfundoi presidenti Thaçi.
Në takim me anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, kreu i shtetit e ka dënuar ashpër edhe sulmin e djeshëm ndaj një gruaje në Lipjan, për të cilën papërgjegjshëm dhe padrejtësisht u raportua në mjetet e informimit se është e përfshirë në veprime kriminale.
“Në Kosovë nuk ka vend për dhunë, nuk ka vend për sulme kundër askujt, nuk ka vend për paragjykime”, u shpreh presidenti Thaçi.