Thaçi: Më vjen keq që në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Rugova dhe Demaçi

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti Hashim Thaçi sapo ka përfunduar fjalën e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës, deklaratën e dhënë pa betim gjatë së cilës ka mohuar edhe njëherë të gjithë akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Thaçi ka thënë se i vjen keq që në këtë proces nuk mund të dëshmojnë ish presidenti Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi, njofton Klankosova.tv.

“Viktimat nuk arrijnë të marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet me një padrejtësi tjetër”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjera.

Ish kreu politik i UÇK-së ka treguar motivin që e shtyri të kthehet nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë kundër regjimit të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb në vitin 1998, e që ishte masakra ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Gjithë konflikti, deri te çlirimi i Kosovës nuk do të ngjante pa ndihmën e aleatëve ndërkombëtar, për çka është shprehur se i vjen keq që në procesin gjyqësor ndaj tij nuk do të mund të dëshmojnë ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright, ish ambasadori Richard Holbrooke e poashtu edhe figurat vendore, përfshi ish presidentin Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi.

Hashim Thaçi dhe shteti i Kosovës është shfajësuar njëherë tashmë, sipas Thaçit, për vetë arsyen që e krijoi këtë gjykatë, raporti i senatorit Dick Marty, nga i cili nuk ka dalë asnjë fakt dhe asnjë e vërtetë, dhe tash pret të shfajësohet edhe nga të gjitha akuzat tjera përballë ZPS-së.

Të ngjashme