Presidenti, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci, me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Presidenti Thaçi ka thënë se gjeneralmajori Salvatore Cuoci, i cili po e përfundon mandatin e tij në vendin tonë, e ka udhëhequr KFOR-in me profesionalizëm të një ushtaraku superior.
“Jeni kujdesur jo vetëm për trupat e KFOR-it, por keni qenë i vëmendshëm edhe për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. E vlerësojmë lart bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Kosovës në garantimin e sigurisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, e ka falënderuar presidentin Thaçi për bashkëpunimin dhe vlerësimin e angazhimit të tij në Kosovë.
“Do ta ruajmë përkushtimin për paqen në Kosovë“, u shpreh Gjenerali Cuoci.
Presidenti Thaçi, po ashtu, gjeneralmajorin Salvatore Cuoci e ka falënderuar edhe për bashkëpunimin e afërt me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në këtë fazë të rëndësishme kur po bëhet gati që të transformohet në ushtri të Kosovës.