Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për Ismail Lumën

Lipjan | 14 Jan 2017 | 17:41 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zbuluar edhe bustin e dëshmorit Ismail Luma në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Luma” në Lipjan, si dhe e ka dekoruar atë me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Këtë dekoratë, presidenti Thaçi ia ka dorëzuar sot familjes Luma.

“Kur po shpalojmë bustin e heroit të Kosovës, Ismail Luma, kujtesa jonë kthehet te një emër vendbanim i Kosovës me emrin Reçak, ku 18 vjet më parë ndodhi historia që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Alarmin për këtë krim të kurdisur, në mëngjesin e 15 janarit 1999, presidenti Thaçi tha se e ka dhënë arma e luftëtarit sypatrembur, pushkë mitralozi i rëndë i Ismail Lumës, i cili ra heroikisht në krye të detyrës, në mbrojtje të atdheut.

“Rënia e Ismail Lumës ishte sublimim i qëllimeve jetësore të familjes së tij, i rezistencës së brezave të familjes Luma, të cilët kishin vetëm një ëndërr dhe vetëm një ideal, luftën për çlirimin e Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

Heroi Ismail Luma, sipas presidentit, ra me armë në dorë në altarin e lirisë, duke paralajmëruar bashkëluftëtarët për betejën e përgjakshme.

Presidenti Thaçi tha se Reçaku ishte pikë kthese e zhvillimeve që çuan dhe përshpejtuan organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë.

Ai tha se për herë të parë në një konferencë ndërkombëtare, Kosova u përfaqësua me zërin e saj autentik.

“Nga kjo konferencë doli baza politike që NATO, organizata më e fuqishme ushtarake e botës demokratike të intervenojë në mbrojtje të popullit të Kosovës. Kosova u çlirua dhe hapi kapitujt e ri të jetës së lirë. Kjo liri që gëzojmë sot është fryt i përpjekjeve dhe sakrificave të shumta. Është fryt i gjakut dhe sakrificës së heroit Ismail Luma dhe bashkëluftëtarëve të tij”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se Kosova tash është tregim i suksesshëm i bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, sipas presidentit Thaçi, Kosova tash është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me orientim të qartë integrimet euroatlantike.

Presidenti Thaçi theksoi se ndërtimi i përditshëm i një Kosove të re, të përparuar, të lirë dhe demokratike është amanet i të rënëve për liri, i dëshmorëve të kombit dhe i heroit Ismail Luma.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme