Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksander Vuçiq në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë, ka deklaruar se askush nuk duhet të frikësohet nëse marrëveshja finale mes Kosovës e Serbinë për arritjen e paqes përfshinë ndryshim kufijsh.
“Kemi hyrë në fazën e fundit të procesit dhe na nevojitet mbështetje nga BE, SHBA dhe nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje pajtimi me Kosovës dhe Serbisë. Pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën drejt procesit dhe përparimit në rrugën e BE-së”, ka deklaruar Thaçi.
“Mosarritja e kësaj marrëveshje paraqet rreziqe të mëdha, por atë mirat e arritjes janë shumë më të mëdha. Prandaj kemi provuar shumë të gjejmë zgjidhje drejt një marrëveshje të pajtimit të përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se paqja duhet të ruhet në Ballkan me çdo kusht”.
“Prandaj, dua të risigurojë fqinjët tanë që të mos kenë frikë nga një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse një marrëveshje e tillë implikon një korrigjim kufijsh. Kosova dhe Seria nuk do të jenë të parat as të fundit që do të bëjnë korrigjim kufijsh për të arritur paqe”.
Në konferencë për media, në të cilën përveç Thaçit e Vuçiqit ishin edhe presidenti austriak, Aleksander Va nder Bellen, ai i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri europian, Johannes Hahn, presidenti kosovar ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt BE-së.
“Ne të gjithë shprehëm përkushtimin dhe vullnetin tonë për të punuar fort që të arrimë qëllimet tona, afrimin e Ballkanit drejt BE-së. Udhëtimi i Kosovës ka qenë dhe mbetet i gjatë dhe i vështirë. Por, njerëzit e mi dhe unë jemi të përkushtuar të arrimë këtë qëllim. Ne bëjmë pjesën tonë të punës, por presim edhe nga shtetet në BE ta bëjmë të tyren”.