Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka adresuar përsëri një varg kritikash në drejtim të udhëheqjes së Bashkimit Evropian.
Besnikëria e popullatës kosovare karshi Bashkimit Evropian është keqpërdorur nga individë brenda BE’së, për të nëpërkëmbur, apo për të vonuar perspektivën konkrete evropiane, ka vlerësuar Thaçi.
“Ne nuk kemi tjetër alternativë. Nuk e kemi as kartën e shantazhit të Rusisë, as të Turqisë, as të Shqipërisë. As të asnjë vendi”, ka thënë Thaçi, gjatë një interviste në Klan Kosova.
“Serbia mjafton t’ju flet për Rusinë, dhe menjëherë vrapojnë ta përqafojnë çdo ide të tyre. Apo janë të etur për buzëqeshjen e Beogradit në Bruksel – vetëm kujdes nga Rusia”, është shprehur presidenti.
Thaçi ka tërhequr vërejtjen se qasja proevropiane e Kosovës – “uniteti politik dhe uniteti shoqëror provevropian” – nuk duhet të keqpërdoret nga zyrtarët e BE’së.
“Kosovës i duhet lëvizja e shpejtë, drejt një persepktive konkrete, jo një procesi – se ai mund të zgjatë 5, vjet, 10 vjet, 20 vjet”, ka thënë Thaçi.
“Çështja e demarkacionit ka qenë një kurth për Kosovën, duke e ditur që nuk mund t’i bëjmë dy të tretat në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur ai.