Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në Gorazhdec të Pejës, në përkujtim të të rinjve të vrarë në një sulm ende të pazbuluar, më 13 gusht 2003. Me këtë rast, ai ka bërë thirrje që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.
“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 14 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi para gazetarëve të mbledhur dhe shtoi se “e drejta për jetë është e drejtë fondamentale për të gjithë”.
“E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi, cili theksoi se “ndërkaq, këta fëmijë këtu u vranë nga dora kriminale, e jo nga shteti”.
Por, tha presidenti Thaçi, “zotohem se nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës. Kurrë më!”.
Thaçi u zotua se do të punohet që çdo krim të zbardhet dhe të ndëshkohet . “Gjithashtu, edhe një herë këmbëngul që të zbardhet fati i të të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo të çfarëdo komuniteti tjetër”.
“Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes popujve të rajonit, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e domosdoshme drejtësia. Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të ndodhë”.
“Ky hap do të thotë paqe për rajonin”, përfundoi presidenti i Republikës.