Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur Këshillin Konsultativ për Komunitete, në të cilën është diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet pakicë në Kosovë.
Me këtë tast presidenti Thaçi, tha se do të vazhdojë të mbështetjen për këtë pjesë të shoqërisë kosovare, duke garantuar që të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve dhe se nuk do të lejojnë që të ketë dallime në baza kombëtare, apo fetare.
“Ju siguroj që e keni mbështetjen e Zyrës së Presidentit. Jam i njoftuar për shqetësimet e juaja sikurse që ishte ai i përkthimit të librave shkollor në gjuhën serbe. Si president takoj të gjitha liderët e komuniteteve, bisedojmë për zgjidhjet dhe proceset në të cilat kalojnë të gjitha komunitetet në Kosovë. Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve pavarësisht gjinisë, fesë apo orientimit seksual. Garantojmë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Dëshirojmë një Kosovë ku të gjithë të ndihen të barabartë. Vetëm një Kosovë e re multietnike mund të të ketë të ardhmen e saj”, ka thënë Thaçi, ku ka shtuar se komunitetet janë vlerë e rëndësishme e Kosovës.
Kryesuesi i Këshillit Konsultativ, Gazmend Salijeviq ka thënë se ky këshill është mekanizëm kyç që i mundëson anëtarëve të komunitete për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen.
“Bashkë me kolegët e mi mundohemi të përcjellim mesazhin e komuniteteve. Ne në punën tonë tentojmë që të japim rekomandime të ndryshme apo zgjidhje adekuate që përballet komuniteti ynë. Ne nuk kemi pasur kontakt të mirë me disa anëtarë të ministrive përkatëse, me kushtet thuhet që me forca të përbashkëta ne duhet të ndërtojmë Kosovën. Nuk kemi pasur përkrahje të mjaftueshme prej disa ministrive. Ligjet e Kosovës janë të mira, por ajo që na duhet është se të gjithë së bashku qe që nga nesër të fillojmë të punojmë për një jetë më të mirë”, ka thënë kryesuesi Salijeviq.