Presidenti Hashim Thaçi është duke qëndruar në Paris me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron për të shënuar përfundimin e Luftës së Parë Botërore.
Thaçi nga Parisi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Nuk e kuptoj dhe nuk e arsyetoj asnjë vend të Bashkimit Evropian për rezervat që kanë në procesin e liberalizimit të vizave. Të gjitha kriteret i kemi plotësuar”.
“Unë do ta shfrytëzojë mundësinë që me të gjithë liderët maksimalisht të diskutojmë për këtë çështje”.
“Besoj që edhe Macron do të jetë mbështetës i këtij procesi”.
“Do të jetë një rrezik, jo me fajin tonë që nëse Kosova këtë herë nuk hynë në agjendë, liberalizimi të shtyhet për periudhë të pacaktuar”.
Thaçi ka ritheksuar edhe një herë se në Paris nuk do të flasin për dialogun me Presidentin Aleksandër Vuçiq.
“Këtu në Paris, ne do të jemi në takime të përbashkëta, nuk është planifikuar diçka në rrafshin bilateral. Por nuk përjashtohet mundësia e përshëndetjes apo diçka e tillë. Unë do të sillem me dinjitet dhe integritet si president i vendit”.
Thaçi duke folur për dialogun ka bërë të ditur se nuk do të ketë njohje reciproke ndërmjet të vendeve pa i njohur kufijtë.
“Nuk ka njohje pa i njohur kufijtë e njëri-tjetrit. Dy komisione kredibile të secilit shtet do të punojnë për demaskimin, siç ka ndodh me Maqedoninë dhe Malin e Zi”.
“Por e ritheksoj, nuk do të ketë as ndarje dhe as Asociacion me kompetenca ekzekutive – do të thotë nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike”.