Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka raportuar në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, raporton Ekonomia Online.
Ai ka drejtuar shumë pyetje tek anëtarët e Komisionit dhe nuk dha asnjë përgjigje për rastin që është thirrur të raportojë.
Pas pyetjeve që i bëri, Thaçi i dha kohë deri anëtarëve të Komisionit hetimor, që deri në orën 15:00, t’i përgjigjen pyetjeve të tij.
Këtë kërkesë për pauzë, presidenti Thaçi, e arsyetojë me takimet që ka, ndër aktivitetet e tij, tha se do të ketë një bisedë të rëndësishme me presidentin francez Emanuel Macroon.
Thaçi në fillim bëri nënshkrimin e betimit që do të flas të vërtetën gjatë intervistimit. Ai pranoi që të jetë prania e medieve gjatë intervistimit për shkak të transparencës.
Ai në fillim të “raportimi” ka drejtuar shumë pyetje tek anëtarët e Komisionit dhe akoma nuk ka dhënë asnjë përgjigje për rastin që është thirrur të raportojë.
“Do ishte në interes të opinionit publik me qenë hapur për hir të opinionit dhe transparencës”, tha Thaçi.
Ai kërkoi shpjegime shtesë se kush janë të gjithë personat prezent në komision.
“Dua si president dhe qytetar i Kosovës që para se të fillojmë të ishte me interes të dijë edhe unë edhe opinioni se kush janë prezent në takim dhe kë e përfaqësojnë sepse unë mendoj se ka nevojë për shkak të protokollit se para cilëve persona presidenti i vendit intervistohet”, tha Thaçi.
Kryesuesi i Komisionit, Xhelal Sveçla para presidentit u prezantua vetë po ashtu edhe gjithë anëtarët e komisionit, stafi i komisionit dhe që në këtë takim janë edhe mediet.
Thaçi kërkoi sqarim se kush është eksperti vendor apo ndërkombëtar që deklarata e Thaçit merret dhe shqyrtohet tek ai.
Sveçla tha se nuk po e di se cilat janë arsyet se këto pyetje po bëhen.
Thaçi tha se ka të drejtë si president dhe qytetar i Kosovës të dijë çdo hollësi për intervistimit të tij. Thaçi nguli këmbë dhe vazhdimisht po kërkon të shoh se kush është eksperti dhe dëshiron ta shoh CV-në e tij.
Ai kërkoi të dinte rreth ekspertit ndërkombëtar, Tienmu Ma.
Kryetari i Komisioni, Xhelal Sveçla, tha se për momentin nuk e posedojnë CV-në e ekspertit, Tjen Mu Ma. Ndërsa, anëtari Driton Selmanaj, i tregoi presidentit Thaçi për gjithë procedurën dhe se si është krijuar ky komision.
Por presidenti Thaçi, kërkoi të dinte se Komisioni a ka kaluar nëpër verifikim për ekspertin apo ka shkuar vetëm me vullnet politik të deputetëve.
“Ka qenë unanimitet i plotë të ndodh ky komision, respektoj besueshmërinë e interesit kombëtar, nuk e komentoj të drejtën tuaj. Meqë as ju nuk e kemi kaluar verifikimin, ajo që unë dua të theksoj është se a keni marrë interpretim ligjit për angazhimin e ekspertit ndërkombëtar apo vetëm vullneti juaj politik”, u shpreh Thaçi.
Për Sveçlën, Komisioni nuk është ai që duhet t’i përgjigjet presidentit Thaçi.
“Ne nuk jemi ata që duhet të përgjigjemi, jeni ju. Nëse keni kërkesa për me pa punën tonë deri tani, na dërgoni një kërkesë dhe ne do ua dërgojmë”, tha ai, raporton EO.
Deputeti Muharrem Nitaj, u arsyetua se nuk kanë informacione për ekspertin që po flitet. Sipas tij, nuk janë në dijeni që mundet me qenë shkelje ligjore.
“Nuk kemi shumë informacione për ekspertin që po flisni, e vërteta është se është paraqitur me ndihmën e kolegut Sami Kurteshi na ka thënë se ka qenë asistent i tij sa ka qenë Avokat i Popullit nuk kemi kërkua interpretim nga asnjë zyrë ligjore, nuk e kemi ditë që mundet me qenë shkelje, nëse ju si komandant i përgjithshëm dhe president i vend keni informacione se mund ta komprometojnë angazhimin e një eksperti të jashtëm na e thoni”, u shpreh Nitaj.
Në lidhje me deklaratën e Nitajt, ka reaguar kryesuesi i Komisionit, Xhelal Sveçla. Sipas tij, deklarimet e Nitajt, nuk qëndrojnë.
“Nuk qëndron fare ajo qe thotë Nitaj ky ekspert është angazhuar me stafin në këtë komision dhe me ndihmën e Kuvendit. Të gjithë anëtarët e komisionit janë njoftuar për CV-në e tij, po të kishte ndonjë problem janë juristët e komisionit e sekretaria që e kanë shqyrtuar”, tha Sveçla.
Mbështetje të asaj se çfarë tha Nitaj, pati deputeti Hajdar Beqa.
“E kemi humb kredibilitetin dhe jashtëligjshëm na është zgjatur mandati. Asnjë nga juristët e komisionit nuk e ka propozua ekspertin e as pozita e komisionit”, tha Beqa.
Për anëtarin nga PSD-ja, Frashër Krasniqi, presidenti ka pasur strategji të merr përgjigje, jo të përgjigjet në pyetjet e ligjvënësve.
“Strategjia e presidentit paska qenë me ardh me bë pyetje e jo përgjigje, kjo është gabim sepse Kuvendi nuk i jep përgjegjësi presidentit, nëse ka dikush vërejtje me ekspertët atëherë i keni njerëzit tuaj president këta të PDK-së dhe nuk e di se prej kur PDK-ja me presidentin paskan fillu mos me u besu eksperteve ndërkombëtar kur gjithçka bëjnë me ta”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se pyetja e tij ndaj Thaçit është se a kanë kontaktuat me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për deportimin e shtetasve turq para se kjo të ndodhë.
Informacione për ekspertin kishte deputeti Sami Kurteshi. Ai tha se ai ka punuar tek Avokati i Popullit dhe është doktorant në shumë universitete.
“Të gjitha çështjet ligjore çka të keni nxjerri, asnjë të drejtë ligjore nuk keni me këtë çka po bëni. Eksperti është që ka punuar tek Avokati i Popullit është doktorant në shumë universitete në filozofi juridike, është ndër njerëzit më të përgatitur, ai ende punon për avokatin e popullit”, tha ai.
Kreu i shtetit tha se nuk pranon që të hyjë në ekspertizë nga një ekspert ndërkombëtar.
“Pyetja ime është shumë legjitime dhe nuk besoj se ka diçka të rrezikshme, për angazhimin e ekspertit ndërkombëtar a ka dhënë opinion ndonjë zyrë ligjore në Kuvend. Nuk pranoj të hy në ekspertizë të një eksperti ndërkombëtar”, tha ai.
Anton Quni nga LDK-ja, tha se nëse është rrezikuar siguria kombëtare me këtë ekspert atëherë mundet të ndërrohet, qasjen e Thaçit e quajti të rrezikshme.
“Pse nuk keni kërkuar nga drejtori i AKI-së të mos japin deklarata në prezencë të ekspertit të huaj, pse jeni të shqetësuar vetëm për deklaratën tuaj”, tha Quni.
“A mund të bindni publikun se eksperti është i pavarur, deklaratat tona janë objektive, ai është këshilltar i një subjekti politik që i takon Samiu dhe mik i preferuar i Samiut”, tha Thaçi.
Thaçi, ishte ftuar të raportonte të martën, por kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se kësaj radhe Zyra e Presidencës ka komunikuar me komisionin për të caktuar 26 prillin si datë kur presidenti Thaçi do t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve.
Presidenti deri më tani është ftuar katër herë për t’u intervistuar.