Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar kompleksin e varrezave në fshatin Rrancë të komunës së Shtimes.
Këtu janë të varrosur 11 anëtarë të familjes Asllani, të cilët ishin vrarë më 1998 nga një granatë e hedhur nga forcat serbe.
Me këtë rast, Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar për të çuar para drejtësisë autorët e krimeve në Kosovë.
“Jemi sot këtu në Rrancë për t’iu bërë nderime viktimave të luftës, këtyre njerëzve të sakrificës për lirinë e Kosovës. Para 18 vitesh nga granatimet serbe pësuan 11 anëtarë të familjes Asllani, prej fëmijës gjashtë muajsh deri te më i vjetri 70-vjeçar. Prandaj i nderojmë me respektin më të lartë institucional këto viktima”, tha Thaçi, transmeton Ekonomia Online.
“Dënojmë fuqishëm këtë masakër dhe të gjitha masakrat serbe të kryera në Kosovë kundër popullatës civile, kundër njerëzve të pafajshëm. Ne do të nderojmë dhe do të respektojmë të gjitha familjet e dëshmorëve”, theksoi Thaçi.
Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, tha se vizita e presidentit është edhe një dëshmi e përkujtimit të atyre që u flijuan.
Më 25 gusht të vitit 1998 11 anëtarë të familjes Asllani kishin mbetur të vdekur pasi që një granatë kishte goditur traktorin në të cilin po qëndronin në mal.
Thaçi pret që demarkacioni të kalojë më 1 shtator
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës që ka bërë në kompleksin e familjes Asllani në Rrancë të Shtimes ka folur edhe për çështjen e demarkacionit.
Ai ka shprehur bindjen se demarkacioni do të kalojë në votimin e 1 shtatorit.
Kjo sipas tij duhet të bëhet në mënyrë që të Kosovës të mos i ndalen proceset integruese, siç është çështja e realizmit të agjendës ndërkombëtare dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit si dhe shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.