Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Global të Torontos, ka thënë se Kosova është shtet me potencial dhe mundësi të shumta për investitorët e huaj.
Në këtë forum, Thaçi ka takuar themeluesin e Forumit Ekonomik Global të Torontos, Gil Rémillard.
Përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka thënë se, sipas themeluesit të Forumit të Torontos, Gil Rémillard, pjesëmarrja e Kosovës ka ngritur interesim edhe tek pjesëmarrësit e tjerë.
Postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Në Forumin Ekonomik Global të Torontos takova edhe themeluesin e tij, z. Gil Rémillard, me të cilin shkëmbyem ide rreth mundësive të prezantimit të Kosovës në aktivitetet që zhvillon ky forum.
Kosova është shtet me potencial dhe mundësi të shumta për investitorët e huaj. Ligji për investime strategjike do të hapë mundësi për ardhjen e investitorëve të fuqishëm edhe nga Kanadaja. Stabiliteti dhe siguria në Kosovë premtojnë që vendi ynë të bëhet bazë e investimeve kanadeze në rajon.
Rémillard e njoftova me mundësitë e mëdha që ka Kosova, veçanërisht në fushën e minierave dhe të energjisë.
Ai shprehu kënaqësi për pjesëmarrjen e Kosovës në forumin e sivjetmë, si mundësi e takimit me përfaqësues të kompanive të fuqishme të Kanadasë.
Sipas themeluesit të Forumit të Torontos, pjesëmarrja e Kosovës ka ngritur interesim edhe tek pjesëmarrësit e tjerë.