Thaçi nënshkruan dekretin për largimin e Vlora Çitakut nga Washingtoni (Dokument)

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dekret shkruan se Presidenti Thaçi më 2 tetor ka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në SHBA.

“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Washington”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Çitaku ishte shkarkuar nga ky mision nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Së fundmi emri i Vlora Çitakut është përmendur në skandalin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka.

Presidenti Thaçi kishte deklaruar se nga ambasadorja Çitaku ka marrë lajmin për njohjen nga Xhamajka, mirëpo i menjëhershëm ishte reagimi i përfaqësuesve të këtij shteti, i cili tha që ky lajm nuk është i vërtetë.

Megjithatë, ambasadorja ka qenë e vlerësuar për përfaqësimin në ShBA dhe sidomos për fjalimet në Këshillin e Sigurimit ku asaj iu desh të përballet me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përpara se të bëhej ambasadore, Çitaku kishte qenë ministre e Punëve të Jashtme  gjatë viteve 2007 deri në vitin 2009 ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2010 kishe qenë Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme. Ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2014 ishte ministre e Integrimeve Evropiane.

Nga viti 2013 deri në vitin 2014, Çitaku kishte qenë kryenegociatore për Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit. Ndërsa ambasadore e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ishte emëruar më 6 janar të vitit 2015. Vlora Çitaku do të qëndrojë në Washington deri në emërimin e ambasadorit të ri. 

Të ngjashme