Analisti Jusuf Thaçi ka reaguar pas takimit që u mbajt në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka komentuar tri pikat e marrëveshjes të cilat i prezantoi pas takimit zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi.
Thaçi tha se dy pikat e para të kësaj marrëveshje janë në rregull, ndërsa pika e tretë është më problematike.
Ai thotë se kjo pikë, e cila parashehë tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu ëshë problematike nëse tërheqja bëhet duke u detyruar nga pala tjetër apo edhe nga një palë e tretë si BE-ja.
Kjo, pasi sipas tij, një gjë e tillë do të nënkuptonte që Policia e Kosovës, si një institucion shtetëror e legal do të trajtohej njëjtë si organizimet kriminale në anën tjetër.
Postimi i plotë:
Për aq sa mund të kuptohet nga deklarata e zëvendëskryeministrit Bislimi, dy pikat e para të marrëveshjes janë në rregull, ndërsa pika e tretë e marrëveshjes është problematike. Përkatësisht:
- Pika e parë që parasheh përdorimin e “stikersave” për veturat në vend të ndërrimit të targave është në rregull për aq kohë sa implikon reciprocitet të plotë me Serbinë në këtë pikë. Kjo është fitore për Kosovën.
- Pika e dytë që parasheh krijimin e një grupi punues që brenda gjashtë muajve të gjejë/propozojë një zgjidhje afatgjate për çështjen e targave është gjithashtu në rregull.
- Pika e tretë që parasheh tërheqjen e Policisë së Kosovës (qoftë edhe vetëm të Njësive Speciale) nga veriu bashkë me heqjen e bllokadave dhe barrikadave atje, është problematike. Bllokadat e barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur nga grupe të dirigjuara nga Serbia (nuk janë protesta të qytetarëve serbë lokalë) dhe si të tilla këto janë veprime kriminale e të dënueshme. Ndërsa Policia e Kosovës (përfshirë edhe Njësitë Speciale) janë organe shtetërore legale e legjitime dhe kanë shkuar në veri të Kosovës për të vendosur rend e ligj. Sigurisht që me largimin e bllokadave e barrikadave në veri dhe me qetësimin e normalizimin e situatës atje, Policia e Kosovës dhe Njësitë Speciale të saj normalisht që do ta zvogëlonin prezencën e vet dhe do të largoheshin nga veriu. Kjo do të ishte lidhje normale shkak-pasojë, përkatësisht shmangie e shkakut – shmangie e pasojës. Por kur këtë veprim tërheqës e bën duke u detyruar nga pala tjetër (shkaktari) apo edhe nga një palë e tretë (BE), atëherë është problematike, sepse tërthorazi e simbolikisht kjo i bie si trajtim i njëjtë i organizimeve kriminale në njërën anë dhe i institucioneve shtetërore legale e legjitime në anën tjetër.