Në Prishtinë ka vazhduar sot dita e dytë e punimeve të Seminarit të 93-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin po marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.
Pjesëmarrësve në seminar u është drejtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në fjalimin e tij ka përshkruar proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga çlirimi i saj e deri në ditët e sotme.
Presidenti Thaçi, duke folur për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, ka thënë se falë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashikimit Evropian, marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve më nuk paraqesin kërcënim për sigurinë në rajon.
“Kosova është e gatshme për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim apo në kohën e ardhshme të afërt, ta vejmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë.”
“Falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunimit, sot, marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon. Por, mund të them, mund të jenë fare lehtë edhe shembull i bashkëpunimit konstruktiv”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi, po ashtu, ka thënë se procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor i ka inkurajuar vendet e rajonit dhe e ka kthyer besimin në bindje se rajoni e ka vendin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Vonesa e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s që ta afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë vetëm një vakuum. Ideologjitë tjera nga kontinente tjera me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Ato mezi presin që ta mbushin vakuumin që do t’i lë vonesa e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Prandaj, është qenësore për rajonin tonë, por edhe për vet Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të mos vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Thaçi.
Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ia ka dalë të përballet me disa prej sfidave më të mëdha, me të cilat bota përballet edhe sot. Sipas tij, Kosova ka qenë e suksesshme në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.
“As ne nuk kemi qenë imun në raport me këtë kërcënim dhe qytetarët e Kosovës. Disa prej tyre kanë udhëtuar që t’i bashkëngjiten ISIS-it, individë. Por, mund të them se në 10 muajt e fundit, ky numër është kthyer në zero. Kemi punuar në disa rrafshe. Prandaj edhe kemi arritur suksese, për të cilat Kosovën e lavdërojnë të gjithë dhe për të cilat edhe zëvendëspresidenti Biden e ka quajtur Kosovën lider dhe shembull në rajon”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, i cili ka nisur dje, do të vazhdojë punimet gjatë ditës. Deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, përfaqësuesit e subjekteve parlamentare të Kosovës, si dhe të shoqërisë civile, do t’i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.