Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në festimet e Ditës Kombëtare të Norvegjisë, të organizuar nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë.
Para përfaqësuesve diplomatikë dhe shtetërorë, presidenti Thaçi ka thënë se historia e Norvegjisë është dëshmia më e mirë se procesi i shtetndërtimit të suksesshëm dhe i krijimit të një shoqërie moderne është rrugëtim i gjatë dhe me shumë sfida.
“Norvegjia sot është model dhe ndër eksportuesit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe paqes në botë”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka shtuar se duke ndjekur këtë shembull, Norvegjia ka mbështetur popullin e Kosovës në të gjitha periudhat dhe u bë pjesë e rrugëtimit tonë të gjatë për barazi, liri dhe shtetndërtim.
“Norvegjia këtë mbështetje na dha që nga fillimi, deri më sot, për çka do të jemi përjetësisht mirënjohës. Sot, 10 vjet pas pavarësisë, kujtojmë mbështetjen financiare të Norvegjisë, në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Shteti norvegjez, sipas presidentit Thaçi, ka mbështetur Kosovën edhe në modernizimin e sistemit të arsimit, shëndetësisë, kulturës, diplomacisë dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Në emër të popullit të Kosovës, presidenti Thaçi ka uruar popullin norvegjez dhe përfaqësuesit shtetërorë për Ditën Kombëtare të Norvegjisë.