Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim pune nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland.
Presidenti Thaçi, sipas komunikatës së Presidencës, e njoftoi atë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për prioritetet e tij si president i vendit. “Do të mbetem i përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta”, u shpreh presidenti Thaçi, transmeton EO.
Ai u shpreh se pas marrjes së mandatit, menjëherë ka filluar të promovojë dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë.
“Tanimë është instaluar praktika që personat e dënuar apo të akuzuar të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”, u shpreh presidenti Thaçi. Sipas tij, po punohet në mënyrë që edhe të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.
“Kemi iniciuar plotësimin e Kodit Penal. Deri në vjeshtë do të kemi hapa konkret në këtë drejtim”, paralajmëroi presidenti Thaçi dhe shtoi se “nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Thaçi tha se skena politike tani i ka tejkaluar pamjet e shëmtuara që janë parë më herët dhe shtoi se është koha që vëmendja të kthehet tek vendimet e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në vazhdim ai tha se Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë. “Të dyja palët duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, shtoi presidenti Thaçi.
Thaçi foli edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Do të shterojmë të gjitha mundësitë për dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Por, Kosova nuk mund të pranojë që Beogradi të ketë ‘veto’ në procesin e formimit të armatës së Kosovës”, theksoi Thaçi.
Nga ana tjetër, nënsekretarja e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, u shpreh e kënaqur me vizitën dhe përcjelli përshëndetjet e presidentit Obama dhe të Administratës Amerikane për presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës.
“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, tha Nuland në takim.
Nënsekretarja Nuland përshëndeti arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit, por edhe theksoi që nevojitet të bëhet edhe më shumë. “Drejtësia mbetet prioritet për SHBA-në”, theksoi Nuland.
Ajo tha se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale, prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre.
“Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, përfundoi Nuland.
Presidenti Thaçi iu falënderua për mbështetjen e SHBA-së dhe për inkurajimin që u jep institucioneve shtetërore të Kosovës që të vazhdojnë në procesin e zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë, si dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend.
“Do të mbetemi të përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta”, përfundoi presidenti Thaçi.