Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në hapje të Lojërave Olimpike Dimërore, në Pyeongchang të Koresë së Jugut, në një postim në Facebook ka shkruar se
parakalimi i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota, është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Parakalim madhështor i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota”, ka shkruar Thaçi.
“Kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë, që përfaqësohemi në Lojërat Olimpike Dimërore. Është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios”, ka theksuar ai.