Analisti Jusuf Thaçi teksa po diskuton në “Pressing” në T7 lidhur me takimin e sotëm Kurti-Vuçiq, vlerësoi se Kosova do të duhej të tërhiqej nga ky format i dialogut.
Sipas tij “në momentin që është hequr kërkesa nga njohja dhe është parë animi i ndërmjetësve”, do të duhet tërheqja e Kosovës nga ky format i dialogut.
Sipas tij, pas luftës në Ukrainë, Serbia mund të marrë anë kah perëndimi dhe NATO dhe kësisoj Kosova do të dalë me vlerë të vogël karshi fuqive të mëdha.
“Unë personalisht shqetësimin më të madh e kam çka do të ndodhë pas përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë. Sepse qartazi në çfarëdo versioni, Rusia, në një mënyrë ose mënyrë tjetër do të dalë e humbur. Për pasojë Serbia s’do të ketë alternativë veç se të ndërrojë anë dhe të radhitet me Perëndimin e ndoshta drejt NATO-s”.
“Atëherë Kosova do të jetë me vlerë absolutisht të vogël para fuqive dhe mujm me pësu më keq sesa oguret e situatës aktuale”, tha ai.