Presidenti Hashim Thaçi tha se pas rrëzimit të Qeverisë është i detyruar që të fillojë konsultimet për fillimin e formimit të institucioneve të reja të vendit, raporton Ekonomia Online.
Ai pas takimit me krerët e partive politike, shtoi se të gjitha veprimet e mëtutjeshme, do të jenë transparente dhe në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat e më hershme.
“Sot si president i vendit duke respektuar Kushtetutën, ligjet, mandatin tim si president pas mocionit më 25 mars jam i detyruar të fillojë konsultat me partitë politike dhe liderët për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit të institucioneve apo themelimit të Qeverisë së re”.
“Respektimi i plotë i legjitimiteti të qytetarit duke marrë parasysh edhe shkarkimin e Qeverisë. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr si president pas konsultimeve do të jenë transparente në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat e mëhershme të deklaruara sipas vullnetit të partive. Do të jetë proces kushtetues, i konsultuar dhe ligjor ju do të njoftoheni me të gjitha”.
Presidenti ka bërë të ditur se nesër (e enjte), do të takohet edhe me krerët e partive të tjera., Ramush Haradinajn e AAK-së, Fatmir Limajn e Nisma Socialdemokrate, përfaqësuesit e Listës Serbe dhe ata të Grupit 6+.
Presidenti Thaçi në këtë konferencë ka folur edhe për situatën e krijuar nga pandemia e Coronavirusit.
Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe të respektojnë rekomandimet IKSHP-së. Ai ka thënë se duke rekomanduar rekomandimet e Institutit do ta tejkalojmë këtë situatë të rëndë.
“Është mbresëlënëse se duke zbatuar këshillat e IKSHP-së, qytetarët po tregojnë disiplinë dhe sakrifikojnë në interes të shëndetit për qytetarin familjen shoqërinë. Duke respektuar këto rekomandime dhe duke mos krijuar panik do ta tejkalojmë këtë situatë të rëndë. Ju ftoj të respektoni këshillat e IKSHP, të rrini në shtëpi dhe ta përballojmë më lehtë. Të prekurve nga virusi u urojmë shërim më të shpejt”, tha Thaçi.
Ai ka falënderuar mjekët, policët, pjesëtarët e FSK-së, bizneset dhe të gjithë ata që po përballen me situatën e re të krijuar nga Coronavirusi.