Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për medie pas takimit me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se në këtë takim është biseduar për gjetjen e mundësisë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Para pak çastesh takova Lajçakun, mund të konkludojë se biseda jonë ka qenë miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësisë për arritjen e marrëveshjes finale me njihje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Besoj fuqishëm besoj se e ardhmja është anëtarësimi në BE dhe BE-ja duhet të nis procedurat për liberalizim të vizave sepse është vonuar shumë”.
“Gjithashtu besoj se BE-ja është unike do të hidhet në tavolinë njohja reciproke. Sepse njohja reciproke mund të jetë mundësi e mirë që garanton fqinjësi të mirë dhe garanton të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi teksa shtoi se biseda të njëjta ka bërë edhe në ShBA e Paris.
“Edhe gjatë takimit që kam zhvilluar me Lajçak ditë më parë në Bruksel poashtu kanë qenë temat e njëjta të diskutimit gjithashtu edhe në Uashington në takimet që kam zhvilluar me autoritetet e larta të shtetit amerikan në takime joformale”, ka thënë Thaçi.
I pari i vendit tha se ka zhvilluar edhe një takim pardje në Paris pa dhënë detaje se kë ka takuar e që poashtu është diskutuar mundësia e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Gjithashtu në Paris pardje, shoh një koordinim më të mirë dhe nivel më të lartë edhe të BE’së edhe me SHBA’së. Ky është një mesazh i mirë dhe i qartë dhe mendoj inkurajues që të jemi sa më unik sa më të bashkuar në këtë proces në mënyrë që të finalizohet ky proces sa më shpejt sa më mirë me njohje reciproke të Kosovës me Serbinë. Kjo do të mundësonte pastaj edhe zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale”, u shpreh ai.