Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Washington është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh.
“Është takim i një rëndësie të veçantë, po themi historike, sepse për herë të parë të dy vendet tona takohen, apo kanë pranuar që të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Është një interesim do të thotë i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vet presidenti Trump, dhe tash kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik. por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell”.
“Pres që të kemi një vullnet të dyanshëm, të punojmë seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për të mirën e dy vendeve, popujve tanë. Është shumë me rëndësi që të dy vendet tona, edhe Kosova edhe Serbia, kanë treguar zotimin e vet, por edhe besimin që ky proces të jetë i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të ardhmen e sigurt të të dyja vendeve në rrafshin edhe zhvillimor por edhe atë të vlerave euroatlantike”.
Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur edhe për mundësinë që në këtë datë të arrihet një marrëveshje me Serbinë.
“Ne jemi duke punuar seriozisht si institucione të Kosovës. Ne shkojmë me vullnetin që të bëjmë përparim, përparim substancial në qasjen që ne pretendojmë të punojmë. Kemi besim të plotë në përkushtimin e ambasadorit Grenell, dhe tash gjithë ekipit të administratës së Shteteve të Bashkuara që do të kyçen”.
“Në anën tjetër mendoj që është një mundësi që asnjëra palë nuk dëshiron ta humbë, sepse një qasje negative që mund të paraqitet aty do të jetë natyrisht me një çmim, dhe Kosova nuk është e gatshme të paguajë çmim, por është e gatshme të shfrytëzojë mundësinë për arritje të një marrëveshjeje të rëndësishme për konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”.