Thaçi për televizionin N1: Pa njohje reciproke, Kosova dhe Serbia s’kanë perspektivë evropiane

Prishtinë | 25 Shk 2018 | 12:27 | Nga

Në një intervistë të gjatë dhënë emisionit “Pressing” të televizionit rajonal “N1”, me moderator gazetarin Jugosllav Qosiq, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë, ndër të tjera, se Kosova ka përmbyllur me sukses mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, se pret që, në fund të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se shpreson dhe beson se viti 2018 do të jetë viti i një marrëveshjeje historike midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, raporton Lajmi.net.

“Kjo marrëveshje do të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve tona dhe njëherësh në pajtimin e popujve tanë. Paqja mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë paqe për Ballkanin Perëndimor. Paqja është gjithashtu një mesazh për evropianizimin e të gjithë hapësirës në të cilën jetojmë. Shpresoj se do të jetë një marrëveshje e standardeve dhe modelit evropian. Bashkimi Evropian tani duhet të marrë rolin e tij aktiv, dinamik dhe udhëheqës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është momenti dhe lidershipi i duhur për arritjen e marrëveshjes që ka munguar në njëqind vjetët e fundit dhe që do ta hapë perspektivën për brezat e ardhshme”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se nëse ka vullnet të mirë, nëse tregojmë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike për t’u orientuar drejt së ardhmes, pres që do të ketë vullnet të ndërsjelltë për njohjen e dyanshme. “Kosova është gati, por një gjë është e sigurt: as Serbia dhe as Kosova nuk do të kenë një të ardhme evropiane pa një marrëveshje të përbashkët dhe njohje të dyanshme. Pra, as Serbia nuk mund të bëhet pjesë e familjes evropiane pa njohjen e kosovës. Prandaj, sa më parë ta bëjë Serbia këtë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi tha se ndërtimi i shtetit të Kosovës nuk është një garë dhe nuk është i orientuar kundër Serbisë. “Serbia gabon kur pretendon se po merret me Kosovës dhe që po humb kohë për ta bllokuar Kosovën. Këshilla ime është që përqendrohen në punët e tyre dhe të mos merren me Kosovën, sepse kjo është vetëm humbje energjisë për ta, ngase pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm. Jam i vetëdijshëm për sfidat që kemi në drejtim të konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por njëherësh jam i bindur se Kosova do të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO-s, Interpol-it dhe të gjithë mekanizmave ndërkombëtare”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme