Gazeta numër një në Amerikë dhe botë, “Washington Post”, ka cituar deklaratat e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë Konferencës vjetore të Sigurisë në Mynih, ku në mesin e të pranishmëve kanë qenë liderë të shumtë nga e gjithë bota, raporton Lajmi.net
Siç njofton kjo gazetë, presidenti Thaçi, si panelist në diskutimin me temë “Brenda apo jashtë? Shtetet midis Rusisë dhe Evropës”, ka thënë se dekada e parë e pavarësisë së Kosovës ishte “një histori suksesi”, por ai shprehur keqardhje për mungesën e unitetit brenda Bashkimit Evropian në lidhje me çështjen e statusit të Kosovës si kandidate për anëtarësim.
“Ne ende nuk jemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara, ndërsa udhëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian është i ndërlikuar”, ka thënë Thaçi. Pesë nga 28 vendet anëtare të BE-në nuk e kanë pavarësinë e Kosovës, shkruan kjo agjenci.
Presidenti Thaçi theksoi se “po të kishte unitet në BE për Kosovën, jam i bindur se shteti i Kosovës do të ishte një vend më i qëndrueshëm dhe më i fortë”. Kreu i shtetit është shprehur se Kosova është shteti më pro-evropian, më pro-amerikan dhe më pro-perëndimor në Ballkan, duke shtuar se “ne jemi krenarë për këtë”. Pjesë e panelit ku në mesin e folësve ishte presidenti Thaçi, ishin edhe personalitete të tjera eminente, duke përfshirë Komisionerin e BE-së për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, dhe krerë shtetërorë dhe zyrtarë të lartë nga Rusia, Armenia dhe Moldavia, vende këto që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, moderator i panelit ishte Ian Bremmer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, president the themelues i “Eurasia Group”, konsulencës më të madhe në botë për vlerësimin e riskut politik. Konferenca vjetore e Sigurisë në Mynih konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në botë për sa i përket sigurisë globale. Washington Post raporton se Kosova, e cila po përballet me pengesat për pranimin e plotë të shtetësisë së saj, po e shënon dhjetëvjetorin e pavarësisë nga Serbia me festime për dy ditë me radhë.