Thaçi përmbylli vizitën në Kanada

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 08:06 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përmbyllur vizitën disa ditore në Kanada, ku ishte panelist në edicionin e 10-të jubilar të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik “Toronto Global Forum”, që i zhvilloi punimet nën patronazhin e Forumit Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA).

Në forumin e titulluar “Udhëheqja në kohë të pasigurta”, para mbi 100 folësve dhe 2600 delegatëve nga mbi 40 shtete, presidenti Thaçi prezantoi të arriturat e Kosovës si shtet i ri me mundësi të mëdha ekonomike dhe të ardhme të sigurt euroatlantike, si dhe theksoi se rasti i Kosovës është shumë specifik për shkak se zhvillimi i shtresës së mesme është shoqëruar me sfida të shumta.

Ai është shprehur i kënaqur me interesimin e kompanive kanadeze për interesimin e tyre për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë në sektorët e minierave, energjisë, turizmit dimëror, etj.

Kreu i vendit ka zhvilluar edhe disa takime me krerë të lartë të shtetit kanadez.
“Edhe në takimet me Guvernatorin e Përgjithshëm të Kanadasë, David Johnston, dhe me Kryeministren e Ontarios, Kathleen Wynne, konfirmuam thellimin e bashkëpunimit të ngushtë në mes të shtetit të Kosovës dhe Kanadasë, në të gjitha nivelet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi falënderoi përzemërsisht miqtë kanadezë për mbështetjen e tyre të pakursyer për Kosovën, para gjatë dhe pas luftës, duke shtuar se është dakorduar me ata për një agjendë dinamike të bashkëpunimit në ekonomi, tregti, edukim, si dhe për investime të reja”, shtoi presidenti Thaçi.

Gjatë vizitës në Kanada, presidenti Thaçi është takuar edhe me Kryeministrin e Republikës së Guinesë, Mamady Youla, themeluesin e Forumit Ekonomik Global të Torontos, Gil Rémillard, Ministren e Ontarios për Shtetësi dhe Imigrim, Laura Albanese, dhe Kryetaren e Bashkisë së Mississaugas, Bonnie Crombie.

“Gjithashtu, pata rastin të takoj bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. U inkurajova nga niveli i integrimit të tyre në jetën sociale, kulturore, politike dhe ekonomike në Kanada”, ka përfunduar Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme