Thaçi pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Hondurasit

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 15:17 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Hondurasit për Republikën e Kosovës, Roberto Ochoa Madrid.

Presidenti Thaçi i uroi mirëseardhje ambasadorit Ochoa Madrid, të cilin e përgëzoi për marrjen e detyrës, duke e falënderuar atë për njohjen e Hondurasit, gjashtë vjet më parë.

Presidenti ka theksuar se Hondurasi gjithmonë ka përkrahur Kosovën në rrafshin multilateral, derisa në muajt e ardhshëm do të ketë thellim të marrëdhënieve bilaterale.

“Shumë shpejt dy shtete tona do të nënshkruajnë disa marrëveshje bilaterale, të cilat do të lehtësojnë jo vetëm bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet dy popujve”, ka shtuar presidenti.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi diplomatik duhet të shtrihet edhe në shkëmbim ekonomik, përmes nënshkrimit të Memorandumeve të Mirëkuptimit ndërmjet Odave Ekonomike të të dyja vendeve.

Ndërsa, ambasadori i ri jorezident i Hondurasit për Republikën e Kosovës, Roberto Ochoa Madrid, falënderoi presidentin Thaçi për mikpritje dhe iu zotua se Hondurasi do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës.

“Hondurasi do të vazhdojë përkrahjen aktive për Kosovën”, u shpreh Ambasadori Ochoa Madrid. Presidenti Thaçi u shpreh se njohja dhe përkrahja aktive nga Hondurasi është sinjal edhe për vendet e tjera të Amerikës Latine që ta njohin dhe përkrahin Kosovën.

h-01

h-03

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme