Në koalicionin PAN, presidenti Hashim Thaçi e ka për adresë komunikimi vetëm Kadri Veselin.
Me të do të komunikojë rreth mandatarit për formimin e Qeverisë re, pavarësisht zhvillimeve që, deri atëherë, mund të ndodhin në koalicion, qoftë edhe nëse Partisë Demokratike (PDK) i shkëputen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.
Një burim i gazetës në Presidencë ka thënë, të enjten, se kur t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, kreu i shtetit fare nuk do t’i marrë për bazë zhvillimet që mund të jenë brenda koalicionit.
“Për koalicionin që i ka fituar zgjedhjet flet ai, në emër të të cilit, në KQZ, është regjistruar koalicioni. Presidenti ka punë me certifikatat e subjekteve politike që i merr në KQZ, dhe fare nuk i interesojnë dinamikat politike”, ka thënë ky burim. “Do të jetë e lehtë kësaj here, ngase është udhërrëfyes i mirë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin”.(KohaDitore)