Me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, arqipeshkvi i Selisë së Shenjtë, monsinjor Vinzenzo Paglia, i cili është edhe President i Këshillit Papal për Familje në Selinë e Shenjtë dhe themelues i Komunitetit Sant Egidio, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Presidenti Thaçi sot e ka pritur arqipeshkvin e Selisë së Shenjtë, monsinjor Vinzenzo Paglia, të cilin e ka falënderuar për kontributin e tij gjatë viteve të 90-ta, por edhe për periudhën e pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës.
“Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që i keni dhënë popullit të Kosovës. Ne ndajmë vlerat e përbashkëta si pajtimi, paqja, bashkëpunimi dhe toleranca me Selia e Shenjtë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Rikthimi i monsinjor Vinzenzo Paglia në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, është vazhdim i mbështetjes që ai i ka dhënë popullit të Kosovës tash e dy dekada.
“Kosova në këto dy dekada është transformuar në shtet dhe shoqëri moderne. Ne jemi model i bashkëjetesës së religjioneve dhe komuniteteve. Këtë e kemi arritur edhe falë mbështetjes së miqve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, monsinjor Vinzenzo Paglia, është shprehur shumë i gëzuar me vizitën në Kosovë, pas shumë vjetëve.
Ai ka thënë se do të vazhdojë mbështetjen për popullin e Kosovës.
Gjithashtu, edhe presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë, sidomos në promovimin e paqes dhe bashkëjetesës.