Thaçi priti zv.ndihmës sekretarin Palmer: ShBA-ja mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 10:08 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer.

Presidenti Thaçi dhe Palmer kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për zhvillimet politike në vend, për procesin e integrimeve euroatlantike, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, FSK-në dhe dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar zyrtarin amerikan për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin popullit dhe shtetit të Kosovës.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se pas marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë është radha e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është momentum i mirë për të arritur një marrëveshje historike, që siguron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, ka siguruar presidentin Thaçi se SHBA-ja e mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se ShBA-ja mbetet partneri më strategjik që ka Kosova në rrugëtimin e pandalshëm drejt anëtarësimit euroatlantik.

Palmer do të pritet edhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online. Ndonëse nuk u deklaruan për media, Plamer nga Beogradi, ku qëndroi për vizitë, tha se ShBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

Nga kryeqyteti serb zëvëndësndihmës sekretari amerikan ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

Palmer ka qëndruar edhe në Shkup të hënën ku e ka cilësuar si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Të ngjashme