Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk duhet të pritet që Serbia mos të pengojë Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.“Në raport me INTERPOL-in, askush mos të mendojë se Serbia nuk do të na pengojë, kur një vend që ka kryer gjenocid kundër popullatës shqiptare, tash dikush të mendojë se ata nuk do të pengojnë”.
“Ata po na pengojnë dhe do të na pengojnë edhe në të ardhmen – askush mos të mendojë se ata do të na lehtësojnë integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare”.
“Para së gjithash, askush nuk i bën presion permanent Serbisë në këtë pengesë permanente që i bën Kosovës”.
“Një vend që ka kryer masakra, spastrim etnik deri në përmasa të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë, mos të presim që nuk do të na pengojnë”.
“Po na pengojnë, edhe përkundër angazhimeve tona maksimale, edhe në një mekanizëm që nuk është fare politik, por i rendit dhe i ligjit, atëherë është diçka e tepërt”.
Thaçi nga Dubai, ku edhe ka përcjellë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it e ku Kosova ka dështuar të anëtarësohet, ka ripërsëritur se dialogu Kosovë- Serbi duhet të përmbyllet përfundimisht.
“Rrugëtimi i vetëm i Kosovës për NATO, BE dhe OKB është marrëveshja e përhershme e njohjes reciproke Kosovë- Serbi, marrëveshje që nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 dhe në të njëjtën kohë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
“Nuk i besoj rrugëtimit palestinez të Kosovës, i besoj një vendimi të përhershëm të dialogut, të negociatave dhe përmbylljes njëherë e përgjithmonë të dialogut Kosovë-Serbi”.
I pari i vendit ka ftuar partitë politike dhe institucionale që të bëhen bashkë në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.
“Ftoj spektrin politik dhe institucional se ne duhet t’i hyjmë procesit seriozisht, të përgatitemi mirë, në mënyrë unike, një platformë të përbashkët shtetërore, të arrijmë një marrëveshje të përhershme me Serbinë dhe t’i heqim qafe njëherë e përgjithmonë dhe pastaj antarësohemi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, edhe në NATO, edhe në BE dhe OKB”.