Thaçi, takime të nivelit më të lartë në Maltë

Prishtinë | 05 Dhj 2016 | 19:05 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar takimet me përfaqësues shtetërorë të Maltës, gjatë vizitës zyrtare që është duke e realizuar në kryeqytetin Valeta.

Pas dreke, Thaçi është takuar me kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, me të cilin kanë bashkëbiseduar për mundësinë e intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.

“Iniciativa e përbashkët për një kornizë të bashkëpunimit në mes të dy MPJ-ve është duke u implementuar me përkushtim të madh. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Maltës për Kosovën”, ka thënë presidenti, duke shtuar se Malta ka mbështetur Kosovën në nivel politik, por edhe me personel në organizatat ndërkombëtare në Kosovë.

Thaçi ka rekomanduar takim të komunitetit të biznesit të dy vendeve që të eksplorohen mundësitë e bashkëpunimit në sferën ekonomike.

Nga ana tjetër, kryeministri maltez, Joseph Muscat, është zotuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Parlamentit të Maltës, z. Angelo Farrugia, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve.

Presidenti dhe kryeparlamentari maltez janë pajtuar që një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet parlamenteve do të ndikonte pozitivisht në avancimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve por edhe në përfaqësimin më të mirë të Kosovës në skenën ndërkombëtare duke bashkëpunuar me parlamentarët e ndryshëm të parlamenteve kombëtare por edhe me eurodeputetët.

Në fund të ditës, presidenti Thaçi është takuar edhe me liderin e opozitës në Maltë, z. Simon Busuttil. Presidenti ka falënderuar atë për mbështetjen ndaj Kosovës, duke thënë se pavarësisht bindjeve politike, të gjitha partitë në Maltë mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës.

Busuttil kujtoi se partia e tij ka udhëhequr procesin e pavarësimit të Maltës por në të njëjtën kohë ka qenë partia që ka udhëhequr anëtarësimin e Maltës në BE.

“Kemi besuar në aftësinë tonë për të qenë të pavarur, edhe pse jemi shtet i vogël. Por, kemi ditur edhe kur është koha për integrim në kuadër të proceseve europiane”, ka kujtuar z. Busuttil.

“Edhe unë, jam rritur me luftën e Kosovës për pavarësi dhe për shtetësi dhe tani po punoj për integrim të Kosovës në NATO dhe BE”, shtoi Presidenti Thaçi.

Në mbrëmje, presidenti Thaçi do të marrë pjesë në darkën shtetërore, të cilën e ka organizuar presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, për nder të vizitës së tij.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme