Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën foli për takimin e 27 qershorit në Washington.
Thaçi ka thënë se ky takim është kthesë historike për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
“Takimi i Washingtonit po afrohet dhe institucionet e Kosovës e kanë marrë seriozisht. Atje shkojmë me parime të qëndrueshme. Takimin e paralajmëruar e konsiderojmë si kthesë historike dhe një proces shumë të vështirë por i domosdoshëm për arritjen e paqes. Sikur në të kaluarën Kosova do të jetë në anën e duhur të historisë dhe Kosova është e bekuar me përkrahjen e ShBA-së. Ajo do të punojë për të bërë marrëveshjen historike she në këtë mënyrë ne i hapim rrugë njohjes reciproke”, ka thënë Thaçi në konferencë.
Presidenti tha se do të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional për përfaqësimin e Kosovës në Washington.
“Qytetarët e Kosovës e dinë se gjithmonë nga Washingtoni kanë ardhur lajme të mira. Prandaj kam besim se takimi do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar të Kosovës. Kosova shkon me flamurin shtetëror. Do të vazhdojmë të punojmë për Kosovën e re. Delegacioni i Kosovës është ftuar në shtëpinë ku zë fill pavarësia e shtetit tonë. Ne do të flasim me një zë dhe do të respektojmë vullnetin e qytetarëve. Do të kemi një komunikim të mirë ndërinstitucional. Duhet të punojmë që të kemi koordinim sepse ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës”, u shpreh ai.
“BE në ketë proces hynë me një hendikep të madh pa liberalizim të vizave për Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Mes tjerash Thaçi ka thënë se BE-ja duhet të jetë e fokusuar në atë çka prezanton e jo në marrëveshjen që arrihet.
“BE duhet të jetë e fokusuar në substancën që e prezantoj. Kosova do të përfaqësohet me një bazë më të gjerë politike dhe Veseli ka qenë shumë i qartë për takimin në Washington. Unë do të ndihem mirë që do të jem pranë kryeministrit Hoti. Ne kemi qenë të bashkuar në Rambuje dhe në konferenca ndërkombëtare. Do të shkojmë si shtet dhe në fund marrëveshja do të votohet në parlament të Kosovës. Sa i përket pandemisë Covid-19 unë i bashkangjitem rekomandimeve të IKSHPK-së dhe ftoj qytetarët t’i respektojnë këshillat”.