Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr edhe zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri ushtarak.
Thaçi tha se i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vendoset për miratim në Kuvend.
“Ngrirja” e projektligjit të propozuar, sipas Thaçit, bëhet me qëllim që të provohet sërish “>mundësia e fundit, që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb”.
“Institucionet e Kosovës janë plotësisht të gatshme që të fillojnë edhe një përpjekje të fundit për transformimin e FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, tha Thaçi.
Presidenti i bëri komentet në konferencën me temën “Forca e Sigurisë së Kosovës: Perspektivat e së Ardhmes të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit”, raporton Ekonomia Online.
Thaçi ka thënë se iniciativa ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK është legjitime dhe kushtetuese.
“Këtë iniciativë ligjore e kam ndërmarr në një moment të caktuar duke i qenë i bindur se tashmë janë shtjerr të gjitha mundësitë për transformim”.
“Është veprim i menduar mirë. Për më tepër përfaqësuesit e Listës Serbe bojkotuan Kuvendin dhe Qeverinë duke bërë të pamundur që të përfshihen në këtë proces. Nuk ka dyshim që mënyrë e vetme për mbrojtje dhe avancimin e të gjitha komuniteteve është pjesëmarrja e tyre aktive në institucione”, ka thënë ai.
“Iniciativën e kam marrë për shkak se kam konsideruar se Kosova e ka ta pamundur qëllimin e saj për të anëtarësuar në NATO pa formimin e ushtrisë së saj. Prej asaj ditë ka pasur shume zhvillim. Zhvillimi i parë është kthimi i Listës Serbe dhe zhvillimi i dytë përkrahja e partnerëve ndërkombëtare. Institucionet, Qeveria, shoqëria civile janë të gatshëm për transformimin e FSK-së”, ka thënë ai.
Te gjithë partnerët strategjikë të Kosovës, sipas presidentit Thaçi, janë të bindur që Kosova duhet ta themelojë ushtrinë, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë të gatshme qe me partneret strategjikë janë të gatshëm për të biseduar me të gjitha komunitetet e veçanërisht me Listën Serbe.
“Unë kam kërkuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli qe kjo çështje mos të sillet edhe pak kohe në Kuvend”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ai ka thëne se përpjekjet tona për të arritur këtë qëllim janë serioze dhe qëllim mira, nuk po e bëjmë këtë sa për sy e faqe.