Kreu i vendit Hashim Thaçi tha se Kosova, do të rrezikonte, të humbas përkrahjen e BE-së dhe atë të partnerëve tjerë ndërkombëtarë, duke mbetur e izoluar dhe e pashpresë për realizimin e aspiratave për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, nëse nuk e vazhdon dialogun me Serbinë.
Prandaj, sipas tij, të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova vetëm me qasje konstruktive mund të fitojë mbështetje nga BE-ja dhe faktori ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.
“Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë konstruktive. Së cila palë, qoftë Kosova apo e Serbia, që për çfarë do arsye e refuzon dialogun, ose pretendon të tërhiqet një anshëm nga ky proces, do të ballafaqohet me pasoja serioze në aspektin e integrimeve euro-atlantike”.
“Ky fakt, është i mjaftueshëm për të hedhur poshtë teoritë e gabuara se gjoja Kosova mund ta pengojë Serbinë për anëtarësim në BE, në rast se largohet nga dialogu”.
“Në një rast të tillë të veprimeve të pamatura, BE-ja si ndërmjetësuese e këtij procesi, por edhe ShBA-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, do ta identifikonin Kosovën si fajtore për ikjen nga dialogu dhe dështimin e arritjes së marrëveshjes eventuale përfundimtare për normalizim”.
“Si pasojë, të gjithë e dimë se BE-ja nuk do të hezitonte fare, që për shkak të mungesës së gatishmërisë sonë për dialog dhe marrëveshje, t’ia mundësoj Serbisë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE”.
“Ndërsa Kosova, do të rrezikonte për shkak të veprimeve të tilla, ta humbas përkrahjen e BE-së dhe atë të partnerëve tjerë ndërkombëtarë, duke mbetur e izoluar dhe e pashpresë për realizimin e aspiratave tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Prandaj, të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova vetëm me qasje konstruktive mund të fitojë mbështetje nga BE-ja dhe faktori ndërkombëtar”.
Thaçi thotë se dialogu ka vetëm një qëllim njohje reciproke dhe pajtimin në mënyrë paqësore
Ai tha se marrëveshja përfundimtare mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore. Sipas tij, Kuvendi është institucioni që jep fjalën e fundit të një marrëveshje eventuale me Serbinë.
Thaçi ka garantuar se dialogu ka vetëm një qëllim arritjen e marrëveshjes, njohje reciproke dhe pajtimin në mënyrë paqësore.
“Kuvendi është institucioni që do ta thotë fjalën përfundimtare të një marrëveshje eventuale në fund të këtij procesi. Duhet bërë përpjekje maksimale që të arrijmë një marrëveshje historike nëpërmjet dialogut. Dialogu ka vetëm një qëllim arritjen e marrëveshjes, njohje reciproke, dhe pajtim në mënyrë paqësore”.
Ai foli edhe për debatin e zhvilluar në Kuvend për këtë proces. Sipas tij, paaftësia për ta arritur konsensusin e gjerë janë për keqardhje, por beson që liderët e partive janë të gatshëm për të realizuar qëllimin e përbashkët, raporton EO.
“Parlamenti i Kosovës e mbylli këtë sesion pranveror me një debat të gjatë rreth procesit të dialogut. Fatkeqësisht, gjithë ato fjalime, disa racionale, disa të tjera të zjarrta dhe në të shumtën e rasteve krejt jashtë kontekstit, nuk nxorën asgjë konkrete. Në fund, debati përfundoi pa asnjë platformë, rezolutë apo qoftë edhe pajtim verbal të përbashkët lidhur me ecurinë e këtij procesi”.
“Dallimet ndërmjet partive politike parlamentare lidhur me këtë proces dhe mbi të gjitha paaftësia për të ndërtuar konsensusin e gjerë, janë për keqardhje. Por sido që të jetë, unë ende shpresoj tek mençuria dhe guximi i liderëve të partive politike parlamentare për t’u bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët, sepse nuk kemi kohë për të humbur”.
“Ata që mendojnë se Kosovës nuk duhet t’i ngutet në këtë proces, ata që mendojnë se koha punon në favorin tonë, janë krejtësisht të gabuar dhe nuk e kanë idenë as më të vogël për zhvillimet dinamike që janë duke ndodhur në arenën ndërkombëtare”.
“Partitë politike parlamentare ende harxhojnë energji duke diskutuar se a duhet të ndodhë faza përfundimtare e dialogut për normalizim të marrëdhënieve tani apo jo? Për çudi, ato me qëllim harrojnë faktin se dialogu për marrëveshje përfundimtare ka muaj që ka filluar dhe deri më tani janë zhvilluar dy raunde të rëndësishme të kësaj faze përfundimtare”.
Thaçi, ka theksuar se në muajin shtator do të kenë një dinamikë të re të fazës finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbinë.
Ai shtoi se në këtë proces duhet të përfshihen të gjitha institucionet e Kosovës, të gjitha partitë politike.