Thaçi: Transformimin e FSK-së e përkrahin edhe partnerët ndërkombëtarë

Prishtinë | 14 Mar 2017 | 11:24 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

FSK-ja do të jetë faktor i ruajtjes dhe paqes së stabilitetit në rajon dhe se nisma për transformimin e saj në Ushtri është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Aspiratën për transformimin e FSK-së e përkrahin edhe partnerët ndërkombëtarë.

Kështu tha presidenti Hashim Thaçi, gjatë një tryeze me temën, “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.

“Aspiratën për transformim të FSK-së në ushtri e kemi bërë të ditur për të gjithë dhe këtë e kanë përkrahur të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë duke përfshirë edhe NATO-n. Tani janë krijuar kushtet që FSK të lëviz tutje e cila tash e tri vite është e gatshme për t’u bërë ushtri”, tha ai.

“Projektligji për FSK-në ka unifikuar spektrin politik në Kosovë, prandaj jam i sigurt se të gjithë protagonistët politik do të jenë në nivel të detyrës dhe do të bëjnë me përkushtim punën e tyre.  Në fund ju takon deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve që të marrin vendimin e merituar për transformimin e FSK-së, unë si president jam i bindur që deputetët nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri sepse ky është vullnet i popullit”, tha Thaçi.

“Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni. Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tonë të përbashkëta. Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente”, theksoi presidenti Thaçi.

Ashtu sikurse ka pritur, presidenti Thaçi tha se projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.

Thaçi: Krijimi i Ushtrisë është urgjente

Thaçi tha se është urgjente të krijohet ushtria pasi që ndikimi rus është shumë aktual duke marrë kërcënimet të cilat janë destabilizim për tërë rajonin.

Ai tha se Serbia po e dëmton Kosovën dhe dëshmia e fundit janë treni dhe muri në Mitrovicën e Veriut.

“Deri sa i gëzohemi mundësisë që të konsultohemi dhe të koordinohemi me të gjitha palët në Kosovë, megjithatë nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe të koordinohemi për çështjet e interesit strategjik dhe të sovranitet të vendit tonë me Serbinë. Edhe pse kemi nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi duke kërkuar që ky proces të marrë kualitet të ri, që do ta kthejë në proces për pajtim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, megjithatë Serbia ndaj Kosovës ruan të njëjtat politika që kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid”, tha presidenti Thaçi.

“Kërcënim është politika nacionaliste e Serbisë”, tha Thaçi.

“Rruga jonë e preferuar për transformim ka qenë dhe mbetet me ndryshimin e Kushtetutës, por Lista Serbe nuk është e gatshme ta mbështes këtë nismë sepse ka urdhra nga qeveria e Serbisë”, tha ai.

Thaçi: FSK në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i qartë si ai është në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

“E theksoj se roli i FSK është i përcaktuar qartë, ai është në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se a do të ndërhyjë kjo forcë në veri të vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këtë diskutimin të organizuar nga Qendra për Kërkim dhe Politikë të Sigurisë, ka thënë se ai nuk është personi që do i prish marrëdhëniet me ndërkombëtarët për krijimin e ushtrisë.

“E kam ruajtur bashkëpunimin me bashkimin evropian si sytë e ballit, dhe për këtë çështje fleni dath”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se transformimi i FSK-së nuk do të këtë implikim ne mandatin e KFOR-it dhe NATO-s që buron nga Rezoluta 1244 dhe se as sot FSK asnjë veprim nuk e ndërmerr pa u konsultuar me KFOR-in.

Në fund, presidenti Thaçi shprehu bindjen e tij se të gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

 

 

 

Të ngjashme