Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, menjëhërë pas përfundimit të takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, ka thënë se në këtë takim, është kërkuar nga Bashkimi Europian që të jetë i qartë në raport me Serbinë, për mos lejimin e cënimit të territorit të Kosovës.
“Kemi potencuar se jemi për dialog, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e shteteve përkatëse, kemi bërë të qartë që do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet tona. Kosova ka zot shtëpie. Kemi potencuar shumë qartë që e ardhmja e të dyja vendeve është e ardhmja europiane por jo me pretendime të Millosheviqit nga ana e Serbisë”, ka thënë Thaçi në Ora e Fundit në Klan Kosova.
I pari i vendit ka treguar edhe pikat që janë diskutuar në këtë takim.
“Është kërkuar që në asnjë rrethanë Serbia të mos e përsërit gabimin e trenit. Kemi njoftuar qartë se Kosova nuk do t’i presë më lule mesazhet e tilla, por do t’i përgjigjet me ligj dhe Kushtetutë”.
“Kemi potencuar edhe çështjen e murit. Muri duhet të rrënohet në tërësi. Kemi diskutuar edhe për hapat e mëtutjeshëm të mundësisë së vazhdimit të dialogut dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, tha ai.
Ai ka thënë se në këtë takim mes palës serbe dhe kosovare janë përmendur edhe fletëarrestet e Serbisë, që në bazë të njërit prej tyre edhe Ramush Haradinaj është ndaluar në Francë.
“Kemi kërkuar nga BE që të bëjë presion më të fuqishëm në raport me Beogradin që ato fletëarreste të tërhiqen sepse Serbia nuk ka juridiksion mbi shtetin e Kosovës”.