Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Presidenti Thaçi ka thënë se miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është bazamenti mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh.
Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, presidenti Thaçi i ka uruar presidentit të zgjedhur amerikan edhe mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan.
“Duke qenë i vetëdijshëm për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arenën ndërkombëtare, jam i bindur se presidenti i zgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë do t’i adresojë sfidat e shumta në nivel global. Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, ka theksuar presidenti Thaçi.
“Sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.