Presidenti Hashim Thaçi ka uruar të gjithë shqiptarët për festat e nëntorit. 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit Adem Jashari e daljen e parë publike të UÇK-së, Thaçi i quajti festa të krenarisë dhe lavdisë kombëtare.
“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor.
Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare”.
“Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës.
Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”.