Krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Isa Mustafa kanë pritur sot, në takime të ndara, sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ka qenë shef i Misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet në rajon dhe po punon që të zgjerojë bashkëpunimin me të gjitha organizatat ndërkombëtare.
“E çmojmë dhe e vlerësojmë lart angazhimin e misionit të OSBE-së në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, ambasadori Lamberto Zanier, ka thënë se misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar në përkrahjen e proceseve që ndihmojnë forcimin e paqes dhe stabilitetit, forcimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova promovon dialogun dhe pajtimin, bashkëpunimin dhe zhvillimin në rajon.
Veseli: Asociacioni do të themelohet në pajtim me Kushtetutën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Lamberto Zannier, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Misionit të OSBE-së për Kosovën.
Kryetari Veseli ka çmuar lart këtë mbështetje, sidomos në ndërtimin e institucioneve demokratike. Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka konsideruar të nevojshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë mision, në funksion të forcimit të mëtejmë të demokracisë dhe ofrimit të asistencës në shumë sfera.
Veseli e ka njohur z. Zanier edhe me zhvillimet aktuale në vendin tonë, me theks të veçantë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke e konsideruar të rëndësishme ratifikimin e marrëveshjes.
Lidhur me Asociacionin i komunave me shumicë serbe, kryeparlamentari Veseli tha se ai do të themelohet në pajtim me Kushtetutën dhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Zanier, nga ana e tij, konfirmoi përkushtimin e misionit të OSBE-së për të vazhduar mbështetjen për institucionet e Kosovës edhe në të ardhmen.
Zannieri ofron përkrahjen e mëtejme të OSBE-së për proceset demokratizuese në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Lamberto Zannieri.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin e deritashëm në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës në vijim.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e proceseve eurointegruese dhe zhvillim të mëtejmë ekonomik.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, ambasadori Lamberto Zannieri, vlerësoi progresin në Kosovë si dhe të arriturat e deritashme të Kosovës.
Ambasadori Zannieri ka ofruar përkrahjen e mëtejme të OSBE-së për proceset demokratizuese në Kosovë.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për çështje që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe çështje tjera që lidhen me proceset dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.